pandemi,
masa,
kodi i punës,
punëdhënës,
punëmarrës,
zgjidhje e marrëdhënieve të punës
Abstrakti
Masat e ndërmarra nga qeveritë e shumë shteteve me qëllim ndalimin e përhapjes së Covid-19, ose Coronavirus, pas shpalljes së gjendjes së pandemisë globale nga OBSH, përveç se paralizuan ekonomine botërore, patën edhe një tjetër pasojë të rëndë si nga ana ekonomike ashtu edhe nga ajo sociale: shume prej operatorëve ekonomik privat nuk ishin në gjendje të përmbushnin detyrimet e lindura nga kontratat e punës me punonjësit e tyre. Për pasojë, një pjesë e tyre zgjidhën kontratat e punës, shpesh edhe duke abuzuar me praktikën e “dorëheqjes” si formë për të shmangur pasojat ligjore. Kodi i Punës i RSH ka pësuar ndryshime sa i përket zgjidhjes së marrëdhënieve të punës. Legjislatori, nëpërmjet këtyre ndryshimeve, ka pasur si qëllim kryesor mbrojtjen e pozitës së punëmarrësve për shkak se praktika ka treguar se punëdhënësit abuzojnë me pozitën e tyre dominuese. Ndryshimet e bëra janë në funksion të garantimit të mbrojtjes dhe parandalimit të shkeljes së të drejtave që punëmarrësve u takojnë me ligj. Legjislacioni shqiptar, konkretisht kreu XIV i Kodit të Punës, në nenet 140 e vijues të tij, ndër të tjera përcakton rregullat, afatet e njoftimin dhe procedurën, për zgjidhjen e marrëdhënive të punës për kontratat me kohëzgjatje të pacaktuar dhe të caktuar, me shkaqe të arsyeshme, në periudhë të papërshtatshme si edhe rastin e pushimit kolektiv nga puna. Në të njëjtin kre, nenet 154 dhe 155 parashikojnë edhe rastet e zgjidhjes së menjëhershme të justifikuar dhe të pajustifikuar të kontratës së punës. Në situatën e pandemisë globale që preku edhe vendin tonë, përpara cilës prej këtyre situatave jemi? A mundet punëdhënësi të zgjidhë kontratën e punës dhe në ç’formë? Po punëmarrësi si mund të mbrohet? Vende të BE-së si Italia, e cila qe ndër shtetet e goditur më rëndë nga Coronavirusi dhe që qeveria jonë shpesh i është referuar si shembull për marrjen e masave parandaluese, ka aplikuar masa konkrete nëpërmjet dekreteve shtetërorë për rregullimin e kësaj situate.