: Bashkimi Evropian gjendet sot më shumë se kurrë përpara një ngërçi epokal, i cili përfaqëson kontradiktën themelore që e ka shoqëruar ecurinë e tij gati 70-vjeçare. Thënë ndryshe, ky master plan liberal shtetesh është zhvilluar në dy drejtime të ndryshme, nga pikënisje katërçipërisht të kundërta njëra me tjetrën, por që në 30 vitet e fundit kanë shënuar dy trajektore të ngjashme e të cilat sot rrezikojnë t’i çojnë drejt përplasjes. Ngërçi ka ardhur duke u ngurtësuar pikërisht në fushën e ekonomisë; pra, pikërisht aty ku, në fillim të viteve 1990, gjykohej se komunitarizmi ishte në fazë aq të përparuar sa Komuniteti Ekonomik Evropian (siç quhej zyrtarisht) mund të përparonte drejt një Bashkimi Evropian më të përgjitshëm. Duket se drejtimi që po ndjekin zhvillimet aktuale shkon në kundërshtim të plotë me frymën liberale të funksionalistëve, Fuqizimin e vullneteve shtetërorë në dëm të aspiratës komunitare e nxori në pah pikërisht gjendja e nderë në të cilën dergjet Bashkimi Evropian si pasojë e përhapjes së epidemisë COVID-19. Ç’është më e rëndësishmja – por dhe më domëthënësja për qëllimin fundor të këtij shkrimi – gjysma e parë e vitit 2020 dhe kataklizma ekonomike që pritet ta pasojë po tregojnë se as ekonomia evropiane nuk është aq komunitare sa ç’shitet; e se dhe këtu, përpos synimit a realizimit të një tregu të përbashkët, mbisundon vektori ndërshtetëror.