Raportim financiar,
Covid-19,
Pasqyra financiare,
Vazhdimësia e biznesit
Abstrakti
Drejtimi dhe menaxhimi i njësive ekonomike duhet të marrë në konsideratë, ngjarjet e ndodhura pas përfundimit të pedhiudhës kontabël dhe ndikimin e tyre në matjen dhe vlerësimin e elementëve të pasqyrave financiare. Aktualisht për shkak të situatës së Covid-19 është shtyrë afati i dorëzimit të Pasqyrave Financiare te cilat po përgatiten mbi bazën e shqetësimit të vazhdueshëm nëse aktiviteti i pezulluar përkohësisht do të ndërpritet përfundimisht apo ka alternativa për ristrukturim. Kjo shtyrje e afatit të dorëzimit paraqet një problem në hartimin dhe dorëzimin e pasqyrave financiare të vitit 2019, duke marrë parasysh nëse ngjarjet që ndodhën pas fundit të vitit kanë një rëndësi të konsiderueshme për biznesin dhe për palët e treta të lidhura me të. Ngjarjet të cilat kanë ndodhur pas fundit të vitit dhe që kanë ndikim në pasqyrat financiare duhet të përfshihen në vlerat e bilancit referuar parimit të kompetencës dhe nëse nuk janë në kompetencën e vitit raportues duhet të merren në konsideratë për rëndësinë e tyre. Por, më e rëndësishme është evidentimi i ngjarjeve pasuese të cilat ndikojnë dhe vënë në rrezik vazhdimësinë e biznesit. Raportimi financiar duhet të jetë cilësor dhe besueshmëria e informacioneve financiare që percjell kontribuon në vendimmarrjen ekonomike të biznesit duke e bërë dhe një faktor shumë të rëndësishëm për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm të vendit.