siguria njerëzore,
të drejtat e njeriut,
situatë pandemie
Abstrakti
Siguria njerëzore, e përkufizuar si një gjendje për të lehtësuar njerëzit nga traumat që shoqërojnë zhvillimin njerëzor, është e lidhur ngushtë me të drejtat e njeriut. Trajtimi i konceptit të sigurisë njerëzore mundëson ngushtimin e hendekut midis qytetarit dhe shtetit. Në aspektin e të drejtave të njeriut, siguria njerëzore përfshin të gjitha të drejtat e njeriut, por ajo shtrihet edhe ndaj rreziqeve, kërcënimeve dhe ndryshimeve të papritura, të cilat si fusha të veçanta, nuk trajtohen nga të drejtat e njeriut. Në kohën e një pandemie, detyra për të mbrojtur jetën i detyron shtetet të marrin masa të veçanta. Reagimi i shteteve ndaj koronavirusit ka konsistuar në masa kufizuese, të cilat shpesh bien ndesh me të drejtat e njeriut. E Drejta Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut lejon kufizime mbi lirinë në raste emergjencash kombëtare, por të nevojshme dhe proporcionale. Siguria shëndetësore, si pjesë përbërëse e sigurisë njerëzore, synon të garantojë një minimum të domosdoshëm mbrojtjeje nga sëmundjet, veçanërisht nga ato infektive, epidemike dhe të kushteve të këqia të jetesës. Institucionet shtetërore kanë përgjegjësi për të garantuar trajtim mjekësor sipas nevojës. Injorimi, ose refuzimi i këtij shërbimi, qoftë edhe ndaj një qytetari të vetëm, mund të jetë me pasoja fatale edhe për sigurinë kombëtare. Pandemia e Covid-19 shkaktoi kolaps edhe në vende të zhvilluara, me sistem shëndetësor të përparuar. Është ende shpejt të bëhen analiza, studime dhe vlerësime përfundimtare lidhur me këtë pandemi. Përvoja dhe mësimet e nxjerra duhet të shërbejnë që një situatë e tillë në të ardhmen të jetë sa më pak emergjente. E rëndësishme për këtë, ndër të tjera, është vlerësimi dhe respektimi i komuniteteve të profesionistëve.