: COVID - 19 u raportua fillimisht në Wuhan, në Dhjetor të 2019. Ai u përhap shpejt në pjesë të ndryshme të Kinës dhe më pas në mbarë botën duke shkaktuar situatën e pandemisë globale në Mars të 2020. Epiqendra e situatës pandemike u zhvendos nga Azia në Europë dhe më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë pandemisë COVID -19, në periudhën e karantinës dhe të izolimit, teknologjia luajti një rol shumë të rëndësishëm në mbajtjen funksionale të shoqërisë. Pa dyshim që teknologjia do të vazhdojë të ketë impakt në shoqëri dhe në çdo sferë të jetës edhe në të ardhmen. Teknologjitë e avancuara janë përdorur në vende të ndryshme për identifikimin e njerëzve të sëmurë, kontrollin e lëvizjeve të tyre, uljen e mundësisë për përhapjen e infektimit dhe zhvillimin e strategjive dhe veprimeve për kurimin e infeksionit. Gjatë pandemisë, u përdorën Inteligjenca Artificiale (AI), Big Data, Teknologjia 5G etj, së bashku me dronet dhe pajisjet e automatizuara. Ky punim analizon rolin që ka luajtur teknologjia për menaxhimin e situatës pandemike në vende të ndryshme të botës.Gjithashtu, analizohet ndikimi i teknologjisë në administratën publike, në biznes, në mjekësi etj në realitetin shqiptar. Për fat të mirë, Shqipëria e kishte të ngritur sistemin e e-qeverisjes dhe COVID-19 na gjeti deri diku të përgatitur në ofrimin e shërbimeve online për qytetarët. Nisur nga mësimet e nxjerra nga situata pandemike, ndërrmarrjet shqiptare duhet të reflektojnë për të shtuar investimet në fushën e teknologjisë për të siguruar së pari ekzistencën dhe në perspektivë rritjen e performancës financiare. Gjithashtu, institucioneve akademike i del si detyrë që të ndërtojnë kurrikulat e programeve që lidhen me teknologjinë në mënyrë të tillë që studentët jo vetëm të përballojnë kërkesat që ka aktualisht tregu i punës por edhe sfidat e të ardhmes.