profesione të reja,
zombie jobs,
tregu i punës,
kriza e covis-19,
edukimi profesional
Abstrakti
Shumë sektorëve ekonomikë e financiarë, aktivitete, biznese apo individëve “po ju dridhen këmbët” nga goditjet që morën gjatë kësaj periudhe. Prodhimet dhe shërbimet e tyre po gjejnë gjithnjë e më pak hapësirë në treg, mënyrat deri tani të suksesshme të administrimit dhe inxhinierisë menaxheriale, po kalojnë një sprovë të vështirë ekzistence, duke ndjerë mbi supe etiketën “të vjetërsuara apo ezauruara në kushtet e reja post covid-19”, duke u cilësuar si “zombie jobs”, “punë dhe profesioneve pa të ardhme” ose siç quhen tashmë “bizneset e vdekura të gjalla”, ndërkohë që në horizont po lindin me shpejtësi “profesione, zanate, prodhime, shërbime e modele të reja menaxheriale e digjitale” të cilave ju përket e ardhmja. Tashmë është e sigurt: profesionet dhe tregu i punës post Covid-19 nuk do jetë ai me të cilin jemi mësuar dhe kemi vepruar deri tani. Kriza planetare shumë dimensionale – ekonomike, financiare, sociale, psikologjike, mjedisore, sanitare, etj.; e shkaktuar nga koronavirusi, përveç dëmeve të jashtëzakonshme të shkaktuara, ka vënë në pikëpyetje dhe “sjelljen dhe zhvillimet e pritshme në tregjet e punës dhe profesioneve”. Kriza e thellë ekonomike e financiare dhe pasojat sociale të saj, masat e jashtëzakonshme sanitare anti covid-19, paqartësitë e mëdha për të ardhmen, rritja e konfliktualitetit politik mbi mënyrat e menaxhimit të krizës dhe recetat për përballimin e saj, etj., ndikoi dhe vazhdon të ndikojë ndjeshëm edhe në tregjet e punës, në “luftën” ndërmjet profesioneve e zanateve që u goditën rëndë nga kriza dhe atyre që po “përfitojnë e lulëzojnë” nga situata e re post-krizë dhe e ardhmja e saj. Qeveritë, individët, ekonomitë dhe sistemet arsimore, sidomos ato me vokacion profesional, po reflektojnë me shpejtësi përballë kësaj situate të re. “Lufta e profesioneve” që po shoqërohet me “humbës dhe fitues” i është bashkëngjitur intensivisht “gjendjes së përgjithshme të luftës me armikun e padukshëm por shkatërrues e vdekjeprurës Covid-19”.