Ky studim synon të eksplorojë mënyrën se si studentët e ciklit Bachelor në një institucion të arsimit të lartë në Shqipëri përdorin rrjetet sociale dhe si e perceptojnë ndikimin e tyre në përditshmërinë personale dhe shoqërore. Në këtë kuadër, kërkimi fokusohet në tri fusha kryesore: kohëzgjatjen dhe intensitetin e përdorimit të rrjeteve sociale, platformat më të preferuara dhe qëndrimet e studentëve ndaj validimit social përmes “pëlqimeve” apo komenteve. Studimi mbështetet në një qasje sasiore, përmes një pyetësori online, të përftuar nga një kampion probabilitar me 390 studentë të ciklit Bachelor. Shumica e studentëve përdorin rrjetet sociale për një periudhë kohore të moderuar, kryesisht nga dy deri në katër orë në ditë, me përqendrim të lartë në platformat Instagram, TikTok dhe YouTube. Në lidhje me perceptimin e validimit social, pjesa më e madhe e studentëve nuk e lidhin vetëvlerësimin e tyre me numrin e “pëlqimeve” apo reagimeve që marrin, megjithatë një përqindje më e vogël shfaq ndjeshmëri ndaj miratimit digjital. Këto gjetje tregojnë se, ndonëse rrjetet sociale janë të integruara fort në jetën e përditshme studentore, ato përdoren kryesisht për komunikim dhe informim, më shumë sesa për kërkim të miratimit social. Studimi ofron një panoramë të përgjithshme mbi përvojën digjitale të studentëve shqiptarë, duke nxjerrë në pah rëndësinë e edukimit digjital dhe të ndërgjegjësimit mbi përdorimin e balancuar të mediave sociale. Këto rezultate mund të shërbejnë si bazë për kërkime të mëtejshme dhe për zhvillimin e iniciativave institucionale që promovojnë mirëqenien dhe vetëdijen digjitale në mjediset universitare.