Komunikimi rrëfyes, i njohur si storytelling, është një mjet strategjik i fuqishëm biznesi dhe marketingu, i cili gjatë dekadave të fundit ka filluar të zgjojë interesin e firmave globale, që kanë një dëshirë gjithnjë e më të fortë për të ndërtuar besnikërinë e klientit, duke ndikuar mendimet, sjelljet dhe zgjedhjet e tij në tregun intensivisht konkurrues bashkëkohor. Deri tani, firmat shqiptare nuk e kanë përfshirë në strategjitë e tyre në mënyrë të ngjashme me atë të kompanive të vendeve perëndimore të zhvilluara, të cilat normalisht përfaqësojnë një pikë referimi për ta. Ky artikull, përmes përdorimit të metodologjisë eksperimentale dhe analizës shkencore të studimeve të mëparshme, argumenton se ngjarjet historike, kushtet sociale, politike, ekonomike dhe teknologjike kanë qenë pënguesit dhe sot janë katalizatorët e mundshëm të zbatimit të storytelling në Shqipëri. Në mungesë të hulumtimeve të mëparshme për këtë temë, ky artikull synon të konfirmojë rëndësinë e komunikimit rrëfyes në arritjen e suksesit afatgjatë për çdo firmë përmes ndikimit të përceptimit të konsumatorëve, dhe të ofrojë një ide për kërkime të tjera, në mënyrë që storytelling të integrohet më thellë në planin e biznesit të çdo sipërmarrje, sidomos të atyre shqiptare.