Ekonomia e pavrojtuar,
metoda alternative,
gjithëpërfshirja,
Produkti i Brendshëm Bruto,
Llogari Kombëtare
Abstrakti
Ekonomia e Pavrojtuar, e cila përfshin aktivitetet ekonomike që nuk regjistrohen ose që regjistrohen pjesërisht në Llogaritë Kombëtare, ka një ndikim të rëndësishëm në matjen e PBB-së dhe politikave ekonomike. Ndonëse ka kaluar më shumë se gjysëm shekulli që nga përpjekjet e para për vlerësimin e saj, ende sot, mbetet një fenomen kompleks për t’u adresuar dhe matur me saktësi për shkak të shumëllojshmërisë së metodave dhe burimeve të të dhënave. Ky punim identifikon dhe shqyrton në mënyrë përshkruese metodat alternative për vlerësimin e Ekonomisë së Pavrojtuar, analizon avantazhet dhe disavantazhet e tyre dhe kontribuon në pasurimin e bazës teorike për këtë temë në gjuhën shqipe. Vlerësimi i Ekonomisë së Pavrojtuar dhe sfidave bashkëshoqëruese kërkon qasje të integruar dhe bashkëpunim ndërinstitucional. Punimi ndihmon në kuptimin e metodave të vlerësimit të Ekonomisë së Pavrojtuar dhe ofron sugjerime për përmirësimin e këtij procesi, duke theksuar nevojën për përdorimin e metodave të kombinuara dhe të dhënave të cilësisë së lartë për të siguruar vlerësime më të sakta dhe gjithëpërfshirëse.